Profesori universitar Jeton Shasivari ka deklaruar se Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat sjell zgjidhje edhe për çështjen e mbipërfaqësimit, ndryshe nga mekanizmi i mëparshëm i njohur si “balancues”.
Në një paraqitje në Alsat M, Shasivari, i cili ka marrë pjesë edhe në përpilimin e propozim-ligjit, theksoi se balancuesi funksiononte vetëm si një përllogaritje matematikore, edhe në rastet kur një institucion kishte arritur mbipërfaqësim.
“Ligji e rregullon edhe çështjen e mbipërfaqësimit, balancuesi nuk e kishte këtë. Balancuesi funksiononte si një përllogaritje matematikore edhe kur një institucion arrinte mbipërfaqësim. E tani ligji i ri e rregullon këtë. Aty ku do të konstatohet sa ka mbipërfaqësim, aty nuk do të zbatohet përfaqësimi adekuat dhe i drejtë”, deklaroi Shasivari.
Ai shtoi se një tjetër element me rëndësi është garancia ligjore për të punësuarit aktualë, duke theksuar se askush nuk duhet të ketë frikë për vendin e punës.
“Ligji i ri garanton që ata persona që janë të punësuar nuk do t’i humbin vendet e punës. Kjo është ajo garanca ligjore juridike, pra nuk ka nevojë punonjësit të kenë frikë se do t’i humbin vendet e punës, absolutisht jo”, tha Shasivari.

