Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili, sipas saj, u është referuar shqiptarëve si „një grup i vogël qytetarësh“.
Dauti e ka kundërshtuar këtë cilësim duke iu referuar të dhënave demografike, sipas të cilave shqiptarët përbëjnë 29.5 për qind të popullsisë, ndërsa maqedonasit 54.2 për qind.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, deputetja ka bërë një krahasim matematikor, duke theksuar se numri i shqiptarëve përbën 54.4 për qind të numrit të maqedonasve.
„E tani ky ‘grupi’ që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël – përveçse në matematikën tuaj politike që shihet se nuk ju ec“, ka shkruar Dauti.
Ajo i ka dërguar edhe një mesazh Dimitrievskit lidhur me qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.
„Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe“, ka përfunduar Dauti reagimin e saj, duke shtuar në fund shprehjen maqedonase: „Не мешај баби и жаби!“ (Mos i ngatërro mollët me dardhat!).
„Не мешај баби и жаби!“

