Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka njoftuar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universiteti Nënë Tereza, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm për konsolidimin institucional të universitetit.
“Pas gati një dekade, sot, në seancën e 105-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 59 vota “PËR” dhe asnjë votë kundër, u miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin institucional të universitetit dhe harmonizimin e tij me legjislacionin në fuqi.
Ndryshimet e miratuara forcojnë strukturën statutare të universitetit, zyrtarizojnë Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, mundësojnë lëshimin e diplomave dhe shtojcave të diplomës në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, si dhe përditësojnë identitetin institucional dhe dispozitat statutore në përputhje me standardet ligjore.
Pas gati një dekade nga themelimi i tij, Universiteti “Nënë Tereza” vazhdon të ndërtojë themele më të forta për zhvillimin e arsimit të lartë, shkencës dhe mundësive të reja për studentët tanë”, ka shkruar Saliu.

