Gazetari Rami Mislimi ka reaguar ndaj komentit të Muhamed Zekirit, të publikuar në portalin TS me titullin „Zgjedhjet e parakohshme dhe frika e VLEN-it“, duke thënë se frika nga zgjedhjet e parakohshme nuk është vetëm e VLEN-it, por edhe e BDI-së.
Sipas Mislimit, VLEN-i mund të përballet me një goditje të rëndë elektorale për shkak të qeverisjes dhe, siç thotë ai, nënçmimit që u është bërë shqiptarëve. Megjithatë, ai vlerëson se as BDI-ja nuk mund të pretendojë se është alternativa e vetme për shqiptarët.
„BDI-ja e di se shqiptarët nuk e duan aq sa mendojnë ata. E di se edhe nëse zgjedhjet mbahen në prill, mund të dalë fituese, por me një dallim shumë të vogël. Dhe ky dallim mund të jetë rrezik serioz për të mos qenë pjesë e qeverisë së ardhshme“, shkruan Mislimi.
Ai thekson se fitorja e BDI-së në Bërvenicë nuk mund të konsiderohet fitore ekskluzive e kësaj partie, por rezultat në të cilin kanë kontribuar partitë e ndryshme shqiptare.
Mislimi kritikon edhe opozitën shqiptare, duke vlerësuar se BDI-ja nuk ka arritur t’i bindë shqiptarët se VLEN-i është e keqja, ndërsa ajo përfaqëson zgjidhjen.
„Shqiptarët brenda vendit dhe ata në diasporë nuk duan më që VLEN-i të jetë zëri i tyre, por nuk duan as rikthimin e BDI-së me të njëjtën politikë dhe me të njëjtët njerëz“, thekson ai.
Në pjesën tjetër të reagimit, gazetari kritikon figurat e vjetra të BDI-së, të cilat, sipas tij, edhe pas largimit nga pozitat drejtuese vazhdojnë të marrin paga nga arka e partisë.
Ai përdor gjuhë të ashpër ndaj tyre, duke i quajtur „hiena të pangopura“ dhe duke vënë në pikëpyetje aftësinë e BDI-së për të mbrojtur interesat e shqiptarëve nëse nuk shkëputet nga interesat personale të individëve brenda saj.
„BDI-ja nuk do të ketë frikë nga zgjedhjet vetëm atëherë kur ‘hienat e rrogave’ të largohen nga arka e partisë dhe vendin e tyre ta zënë ata që e duan partinë pa hile, pa interesa personale dhe me ZEMËR“, përfundon Mislimi.

