Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu shpëton nga amputimi një të pastrehë pa sigurim shëndetësor

2 Min. Leximi

Në një qytet ku shpesh nxitimi i përditshmërisë na bën të kalojmë pranë dhimbjes pa e vënë re, një histori sot riktheu vëmendjen tek humaniteti dhe përgjegjësia institucionale. Në zemër të Shkupit, një burrë i pastrehë, i lënë në mëshirë të fatit dhe i përballur me një infeksion të rëndë që rrezikonte t’i kushtonte me amputim të këmbës, u bë simbol i një sistemi që shpesh dështon ndaj më të dobëtëve, por edhe i një reagimi që shpëtoi një jetë.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërhyri drejtpërdrejt për të ndihmuar një person të pastrehë që ndodhej në rrugën “Maqedonia”, përballë zyrës së Avokatit të Popullit, me një gjendje të rëndë shëndetësore. Burri, i cili qëndronte i ulur në një karrike, kishte një infeksion serioz në këmbën e majtë, me plagë të hapura dhe të mbushura me qelb, që e pengonin të lëvizte dhe të mbathte këpucën.

Në një deklaratë për “Sloboden Peçat”, ai rrëfeu për përvojën e tij të vështirë me sistemin shëndetësor. Sipas tij, pavarësisht se kishte thirrur dy herë Ndihmën e Shpejtë disa ditë më parë, nuk kishte marrë asistencë, me arsyetimin se nuk kishte automjete në dispozicion dhe se duhej të paraqitej vetë në institucionet shëndetësore.

“Si të shkoj vetë kur mezi lëviz? U përpoqa të shkoj në spital, por kishte shumë njerëz dhe nuk më pranuan. U detyrova të kërkoj ndihmë duke bërtitur, por më thanë se nuk kishin mundësi të më trajtonin,” deklaroi ai, duke shtuar se gjendja e tij po përkeqësohej dhe se plagët i pastronte vetë me letër.

Edhe pas një telefonate në numrin emergjent 112, nuk pati reagim. Ndihma erdhi vetëm pas ndërhyrjes së ministrit Aliu, i cili urdhëroi dërgimin e një ekipi të Ndihmës së Shpejtë. Burri u transportua më pas në Qendrën Urgjente pranë Klinikës “Nënë Tereza”, ku mori trajtimin e nevojshëm.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull