Dibra është ndër qytetet që pothuajse nuk fle kurrë gjatë stinës së nxehtë, verës. Është qyteti që nuk mërzitet kurrë nga jeta e natës dhe që, sidomos për të rinjtë, ofron gjithmonë hapësira argëtimi. Kjo falë ardhjes së mërgimtarëve tanë që jetojnë në SHBA, por edhe në disa vende të Bashkimit Evropian dhe që gjatë pushimeve verore shijojnë jetën e natës në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 gusht – Me ardhjen e mërgimtarëve dhe mysafirëve nga vendi e rajoni, Dibra këto ditë po përjeton një atmosferë të veçantë verore. Qyteti është i mbushur me gjallëri, ndërsa shëtitorja, sheshet, kafenetë dhe restorantet mbeten të mbushura deri në orët e vona të natës. Veçmas kafenetë dhe lokalet, sidomos ato pranë bregut të Liqenit të Dibrës, “vlojnë” gjatë natës. Jeta e natës në Dibër të ngjan me atë të ndonjë qyteti të madh. Jeta e natës në Dibër është kthyer në një nga veçoritë më të bukura të sezonit veror. Familje të tëra, të rinj dhe fëmijë dalin për shëtitje në mbrëmje, duke i dhënë qytetit një pamje plot jetë dhe energji. Muzika, bisedat dhe takimet mes miqve krijojnë një atmosferë të ngrohtë që e bën Dibrën të veçantë.
Dibra është ndër qytetet që pothuajse nuk fle kurrë gjatë stinës së nxehtë, verës. Është qyteti që nuk mërzitet kurrë nga jeta e natës dhe që, sidomos për të rinjtë, ofron gjithmonë hapësira argëtimi. Kjo falë ardhjes së mërgimtarëve tanë që jetojnë në SHBA, por edhe në disa vende të Bashkimit Evropian dhe që gjatë pushimeve verore shijojnë jetën e natës në Dibër. Megjithatë, për të rinjtë ka gjithmonë hapësira. Pavarësisht gjithçkaje, Dibra ka “asete magnetike”, Liqenin e saj, për t’i tërhequr ata pranë vetes dhe për t’u dhënë hapësira argëtimi e çlodhjeje.
Elsa, 19 vjeçare, jeton në Amerikë. Ajo, së bashku me shoqërinë që ka si nga Dibra, ashtu edhe nga Amerika, nuk ka mbrëmje që nuk e shijon në Dibër, sidomos në lokalet pranë bregut të Liqenit. “U kënaqa. Sa shpejt më ikin ditët që duhet të rri në Dibër. E shijoj deri në pafundësi pushimin tim. Çdo mbrëmje jam me shoqëri nëpër kafene. Kur ka muzikë, rezervojmë në lokalet pranë bregut të Liqenit, por edhe në qytet dalim shpesh”, thotë Elsa dhe shton se i numëron ditët deri në largim me shumë mërzitje. Edhe Dorina, e cila jeton në Gjermani dhe gjatë pushimeve verore shijon jetën e natës në Dibër, thotë se jeta e natës në Dibër është si në Perëndim. “S’ka dallim se ku je, në Dibër apo në Gjermani. Muzikë të mirë, veshje të bukura, rini të bukur. E shijojmë deri në fund çdo natë”, thotë bashkëbiseduesja jonë.
Pronarët e lokaleve shprehen se muajt korrik dhe gusht janë periudha më e ngarkuar e vitit. Ata theksojnë se mërgimtarët janë ata që i japin ritëm jetës së natës, duke mbushur lokalet dhe duke ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale.
Edhe këtë verë, Komuna e Dibrës ka paraparë një kalendar me aktivitete kulturore, sportive dhe argëtuese, të cilat synojnë ta bëjnë qytetin edhe më tërheqës për banorët dhe vizitorët. Banorët thonë se mbrëmjet verore në Dibër janë të pazëvendësueshme. Ata vlerësojnë se qyteti fiton një pamje krejt tjetër gjatë kësaj periudhe, kur rrugët mbushen me njerëz, dëgjohen zëra gëzimi dhe ndihet fryma e bashkimit të familjeve që rikthehen nga mërgimi. Vera është një stinë e nxehtë për Dibrën. Çdo mbrëmje, shumë ambiente në Dibër ziejnë nga të rinjtë dhe zhurmojnë nga muzika live. Pjesë e këtyre, natyrisht, bëhen edhe mërgimtarët tanë, që i japin gjallëri netëve verore. Jeta e natës në Dibër i ngjan metropoleve gjatë kësaj stine, por kjo atmosferë është vetëm sezonale.
Mirëpo, me ikjen e mërgimtarëve, në qytet dominon qetësia. Dibra vazhdon normalitetin e saj. Ka jetë nate, por jo si në verë, jo me muzikën dhe këngëtarët e njohur shqiptarë, por me një normalitet që ka shumë ndryshime nga netët verore, me shpresën që vera e ardhshme do të jetë ashtu siç e imagjinojnë të rinjtë tanë. Dibra vazhdon të dëshmojë se vera nuk sjell vetëm pushues, por edhe jetë, optimizëm dhe një atmosferë të veçantë, duke e bërë jetën e natës një nga simbolet më të bukura të qytetit. (koha.mk)

