Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar pas shkrimeve për pasurinë e saj, duke thënë se është “e ulët dhe e padrejtë” të sulmohet për të.
Sipas saj, pasuria nuk është krijuar në politikë dhe nuk ka lidhje me funksionin që ushtron sot. “Gjithçka që kam, e kam deklaruar publikisht dhe e kam paraqitur pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Asgjë nuk kam fshehur, asgjë nuk kam lënë pa deklaruar”, ka thënë ajo.
Zekolli Shaqiri thekson se pasuria është fituar në mënyrë të ligjshme, përmes procedurave të trashëgimisë, dhe ekziston shumë kohë përpara se ajo të merrte përgjegjësi ekzekutive.
“Nuk kam arsye të fshihem, të justifikohem apo të kem frikë nga e vërteta”, ka shtuar.
Ajo ka shprehur keqardhje që, sipas saj, në vend të debatit për punën dhe rezultatet, zgjidhet rruga e sulmeve personale.
“Transparenca nuk është detyrim vetëm kur dikush të akuzon, por është parim që duhet ta kesh gjatë gjithë jetës publike”, ka thënë ajo.
Ajo ka siguruar se do të vazhdojë të punojë me të njëjtin përkushtim.
“Përgjigjja më e mirë ndaj çdo zhurme mbeten puna, integriteti dhe rezultatet që flasin vetë”, ka përfunduar ajo.

