Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) po e ndjek nga selia e saj në Prishtinë shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën Speciale në Hagë. Aktgjykimi ka të bëjë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe katër të akuzuar të tjerë, në rastin për pengim të drejtësisë.
Përveç Thaçit, vendimi pritet sot edhe për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Hajredin Kuçin dhe Fadil Fazliun. Ky është një proces gjyqësor më vete.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pesët kanë tentuar në mënyrë të paligjshme të ndikojnë te dëshmitarët e gjyqit për krime lufte ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Thaçi është dënuar tashmë në shkallë të parë me 25 vjet burgim për krime lufte. Tani rrezikon edhe një dënim tjetër, sepse Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burg për pengim të drejtësisë.
Dënimet e shtatorit
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dha vendimin e shkallës së parë në gjyqin kryesor:
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.
Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Nga akuzat për krime kundër njerëzimit u liruan.
Aktgjykimi që shpallet sot nuk ka lidhje me atë vendim, sepse i përket rastit të veçantë për pengim të drejtësisë.

