Gjatë ditës së djeshme (27.07.2026), në periudhën nga ora 17:00 deri në orën 22:00, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u zhvillua një aksion i kontrollit për sanksionimin e kundërvajtjeve të kryera nga drejtuesit e motoçikletave dhe mjeteve të lehta elektrikë, me ç’rast u sanksionuan 178 drejtues.
“Prej tyre, 156 drejtues nuk kishin përdorur helmetë mbrojtëse gjatë drejtimit të motoçikletës, 13 drejtues u privuan nga liria për shkak të kryerjes së veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, pasi të gjithë drejtonin mjetin pa patentë shoferi, ndërsa pesë motoçikleta u sekuestruan për shkak të skadimit të lejes së qarkullimit dhe shkaktimit të zhurmës së madhe”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
U sanksionuan 11 drejtues të automjeteve të lehta elektrikë, prej të cilëve pesë për mosmbajtjen e jelekut reflektues gjatë drejtimit në kushte të dukshmërisë së kufizuar, në kundërshtim me nenin 103-g. Gjatë kontrollit u sanksionuan edhe 130 lloje të tjera të kundërvajtjeve rrugore.
“Kontrollet rrugore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thonë në MPB.

