Propozim-ligji për Procedurë Kontestimore u miratua sot në seancën plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, por vëmendjen e opinionit e tërhoqi mënyra se si u sigurua Badenteri i vogël.
Ligji kaloi me 12 vota “për” dhe 11 “kundër”, rezultat që u bë i mundur pas mungesës së pesë deputetëve të opozitës shqiptare të udhëhequr nga BDI: Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Sadulla Duraku, Ismail Jahovski dhe deputeti i ASH-së së Taravarit, Halil Snopçe, shkruan 3-shi.net.
Mungesa e tyre ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e votimit, duke i mundësuar shumicës parlamentare të udhëhequr nga VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja të sigurojë Badenterin e vogël dhe ta miratojë ligjin.
Kjo ka hapur një sërë pyetjesh politike. Pse BDI e ndihmoi VLEN-in dhe VMRO-DPMNE-në në këtë votim? A ishte mungesa e pesë deputetëve një rastësi, apo pas saj fshihet një marrëveshje politike që i mundësoi shumicës ta kalojë ligjin?
Një element tjetër që ngre dilema siç mëson 3-shi.net është fakti se koordinatorja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Hajdari, kishte të drejtën procedurale të kërkonte një orë pauzë. Një veprim i tillë do të mundësonte që ndonjëri nga deputetët e munguar të paraqitej në sallë, duke ndryshuar rezultatin e votimit dhe duke e bërë të pamundur miratimin e ligjit me Badenter të vogël. Megjithatë, kjo mundësi nuk u shfrytëzua.
Deri më tani nuk ka një sqarim publik nga BDI për mungesën e pesë deputetëve të saj në një votim që kërkonte shumicë sipas parimit të Badenterit, as për arsyet pse nuk u përdorën mekanizmat proceduralë që mund ta kishin bllokuar votimin.
Për pasojë, mbetet e hapur pyetja nëse bëhet fjalë vetëm për një mungesë të rastësishme apo për një veprim që, në praktikë, i mundësoi shumicës qeverisëse të udhëhequr nga VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja të sigurojë Badenterin e vogël për miratimin e këtij ligji./3-shi.net

