Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar qëndrime kundërthënëse brenda BDI-së dhe ASH-së lidhur me të ardhmen e bashkëpunimit politik dhe garimin në zgjedhjet e ardhshme.
I ftuar në emisionin “Click plus” në TV21, Taravari ka bërë të ditur se në Kongresin e partisë do të merret qëndrim përfundimtar nëse Aleanca për Shqiptarët do të garojë e vetme si ASH apo në kuadër të koalicionit AKI.
Ai ka thënë se brenda ASH-së ka zëra që kërkojnë distancim sa më të shpejtë nga BDI-ja, ndërsa edhe në BDI, sipas tij, “ka të tillë që nuk e shohin vazhdimin e bashkëpunimit me ASH-në si zgjidhje”.
“Ka të tillë që thonë se duhet të shkojmë të vetëm si ASH në zgjedhje dhe të distancohemi sa më shpejt prej BDI-së. Sikurse ka edhe në BDI që thonë se ne humbim nëse mbetemi në koalicion me ASH-në”, ka deklaruar Taravari.
Më tej, ai ka zbuluar edhe qëndrimet brenda dy subjekteve politike, duke theksuar se në ASH ka zëra që preferojnë të garojnë me 4-5 deputetë të vetëm, ndërsa në BDI ka nga ata që thonë se është më mirë të sigurojnë 8 apo 9 deputetë pa ASH-në.
“Ka edhe në BDI që thonë më mirë të bëjmë 8 apo 9 deputetë vetë sesa të jemi me ASH-në”, ka theksuar mes tjerash Taravari.

