Mexhiti në promovimin e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare”: Arkitektura është pjesë e identitetit tonë

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka theksuar rëndësinë e arkitekturës shqiptare në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në zhvillimin urban të qyteteve tona, gjatë pjesëmarrjes në promovimin e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare” të mbajtur në Shkup.

Libri prezanton punën e 49 studiove arkitekturore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke sjellë një pasqyrë të kontributit të arkitektëve shqiptarë në arkitekturën bashkëkohore. Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe punimet e studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin “Nënë Tereza”.

Mexhiti theksoi se zhvillimi urban i Çairit duhet të ndërtohet mbi një vizion që ndërthur modernizimin me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë drejtim, ai veçoi projektet infrastrukturore që po realizohen në Çair, përfshirë rrugën “Ferid Murati”, bulevardet “Mit’hat Frashëri” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe rivitalizimin e Çarshisë së Vjetër, ku përmirësimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me ruajtjen e zejeve tradicionale dhe karakterit historik.

Një tjetër projekt me rëndësi strategjike është ndërtimi i kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, i cili pritet t’i japë një dimension të ri arkitektonik dhe arsimor kësaj pjese të Shkupit.

“Si kryetar i Komunës së Çairit, dua ta forcojmë bashkëpunimin me arkitektët dhe urbanistët. Përvoja e tyre duhet të na ndihmojë që në fillim, kur përcaktojmë çfarë i duhet qytetit dhe si do të përdoren hapësirat e tij”, ka theksuar Mexhiti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull