Drilon Gashi, historia e të cilit mori vëmendje të madhe publike pasi u bë e ditur se punon në ndërtimtari në Gjermani, ka reaguar me një shkrim të gjatë, duke sqaruar rrugëtimin e tij profesional dhe arsyet që e çuan drejt emigrimit.
Ai thekson se nuk e konsideron veten të dështuar pse sot punon në ndërtim, pasi pas vetes ka rreth 25 vjet studime në teologji, filozofi dhe shkenca humane. Gjatë viteve ka punuar si imam, është marrë me përkthime, shkrime dhe edukim, ndërsa ka vazhduar edhe me rikualifikimin profesional dhe specializimin në psikoterapi.
Gashi tregon se ai dhe bashkëshortja e tij për rreth tri vjet kanë qenë të regjistruar në Zyrën e Punësimit në Prishtinë, por nuk kanë marrë asnjë ofertë konkrete pune. Me katër fëmijë, kredi bankare dhe përgjegjësi familjare, ai thotë se Gjermania u bë alternativa për të siguruar të ardhurat e nevojshme.
Në reagimin e tij, Gashi kritikon edhe mënyrën se si historia personale është shndërruar në debat politik e fetar, duke kërkuar që vështirësitë ekonomike të mos përdoren për të gjykuar jetën dhe bindjet e një njeriu.
Ai kujton edhe prindërit e tij, të cilët përjetuan vite të tëra pasigurie ekonomike, dhe shpreh shqetësimin se e njëjta histori mund të përsëritet edhe te fëmijët e tij.
Gashi thotë se nuk kërkon mëshirë, por mundësi të barabarta për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet. Ai shpreson që historia e tij të shërbejë edhe për të dëgjuar zërin e mijëra qytetarëve që përballen me papunësinë dhe vështirësitë ekonomike, por që nuk kanë mundësi ta bëjnë hallin e tyre publik.
“Nuk kam ardhur në Baustelle sepse e urrej dijen. Kam ardhur sepse e dua familjen time!”, përfundon Gashi reagimin e tij.

