Aksidenti fatal në Shkup-Bllacë, familja angazhon avokat! Kërkohen sqarime pse segmenti i mbyllur nuk ishte i bllokuar

2 Min. Leximi

Familjarët e tre personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup-Bllacë kanë angazhuar avokatin Arianit Koci për t’i përfaqësuar në procedurat ligjore dhe për të kërkuar zbardhjen e plotë të rastit, përcjell TV21. Koci bëri të ditur se, së bashku me familjarët e viktimave Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, ka qëndruar në Policinë e Maqedonisë së Veriut, ku, sipas tij, nuk ka marrë përgjigje për disa pyetje thelbësore lidhur me aksidentin që ndodhi në një segment rrugor i cili zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim.

Sipas avokatit, mbeten pa përgjigje pyetjet se cila kompani e ka ndërtuar këtë segment të autostradës, kush e ka mbikëqyrur ndërtimin dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e tij. Ai kërkon sqarime edhe për faktin se pse hyrja në segmentin e mbyllur nuk ishte bllokuar fizikisht, duke lejuar hyrjen e automjetit deri në fund të rrugës, ku ajo përfundonte në një gropë. Koci thekson se, pas aksidentit, hyrja në këtë segment është bllokuar me zhavorr dhe janë vendosur shenja të komunikacionit, duke ngritur pyetjen pse këto masa nuk ishin marrë para se të ndodhte tragjedia.
Avokati shton se deri më tani nuk ka informacion për ndalimin e ndonjë personi në lidhje me rastin. Në reagimin e tij, ai ngre edhe çështjen e shpenzimeve të familjarëve, të cilët, sipas tij, kanë paguar 2.800 euro për bartjen e trupave të pajetë nga Maqedonia në Kosovë. Koci vlerëson se të paktën ky shpenzim duhej të ishte mbuluar nga shteti./tv21.tv

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull