Mexhiti në Dibër: Bashkë me pushtetin qendror për të çuar përpara projektet

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka qëndruar sot në Dibër, ku së bashku me përfaqësues të pushtetit qendror, ministra, zëvendësministra dhe deputetë, është takuar me kryetarin e Komunës, Fisnik Mela.

Në takim është diskutuar për projektet që janë në realizim, investimet e nevojshme dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të Dibrës. Në fokus kanë qenë infrastruktura në qytet dhe fshatra, turizmi, blegtoria, potenciali i Liqenit të Dibrës dhe përfshirja e diasporës në zhvillimin ekonomik.

Mexhiti ka theksuar se nevojat e komunave kërkojnë angazhim edhe nga pushteti qendror, duke siguruar se Dibra do ta ketë mbështetjen e tyre për investime që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe krijojnë vende të reja pune.

“Sot jemi në Dibër, së bashku me përfaqësues të pushtetit qendror, ministra, zëvendësministra dhe deputetë. Vizitën e filluam me takimin me kryetarin e Komunës, Fisnik Mela, për të diskutuar projektet në realizim dhe investimet që i duhen Dibrës.

Në fokus kishim infrastrukturën në qytet dhe në fshatra, zhvillimin e turizmit e të blegtorisë, potencialin e Liqenit të Dibrës dhe mundësitë për përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik.

Nevojat e komunave kërkojnë angazhim edhe nga pushteti qendror. Prania jonë këtu ka këtë qëllim, që të shohim nga afër ku ka përparim, ku ka pengesa dhe çfarë duhet të bëjmë bashkë për t’i çuar projektet përpara.

Fisniku dhe qytetarët e Dibrës e kanë mbështetjen tonë për investimet që përmirësojnë jetën e përditshme dhe krijojnë mundësi të reja pune”, ka shkruar Mexhiti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull