Rreth 100 të rinj morën pjesë në turneun e futbollit për grupmoshat e reja, të organizuar nga FC Internacional në Çair të Shkupit, ku morën pjesë ekipe të ndryshme nga vendi dhe rrethina.
Gjatë ditës së sotme u zhvilluan ndeshjet e fazës së grupeve, të cilat sollën rivalitet sportiv, lojë cilësore dhe atmosferë të shkëlqyer mes të rinjve që synojnë të zhvillojnë talentin e tyre në futboll.
Pas përfundimit të ndeshjeve në grupe, janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste. Të dielën, me fillim nga ora 10:00, do të përballen:
* FC Internacional – Shkupi
* FC Saraj – Dream Team
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e madhe të të rinjve dhe interesimin e ekipeve, duke theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në promovimin e sportit, shoqërimit dhe zhvillimit të talenteve të reja.
Fituesit e gjysmëfinaleve do të sigurojnë një vend në finalen e madhe të turneut, e cila pritet të sjellë emocione dhe konkurrencë të fortë sportive.

