VLEN: Një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore tash e tutje edhe në gjuhën shqipe

3 Min. Leximi

VLEN: Një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore tash e tutje edhe në gjuhën shqipe

VLEN njoftoi sot se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore tash e tutje do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit. Lajmin e dha në një konferencë për media bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti.

“Ashtu siç kemi premtuar, një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore tash e tutje do të jepen edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, në gjuhën shqipe do të mund të jepen:

– provimi për revizorë/auditorë të autorizuar shtetërorë, i cili sot mbahet në shqip nga Enti Shtetëror për Revizion;
– provimi për agjentët e sigurimeve, të cilët licencohen nga MAPAS;
– provimi profesional për ekspert për vlerësim të ndikimit të projekteve ndaj mjedisit;
– provimi profesional për ekspert për vlerësim strategjik të mjedisit;
– provimet për drejtor, edukator, punëtor dhe kujdestar profesional në institucionet parashkollore;
– provimet profesionale për mjekët, stomatologët dhe motrat medicinale.

Ai shtoi se për herë të parë në kuadër të Ministrisë së Kulturës është themeluar njësia për përkthim dhe lektorim.

Mexhiti mohoi pretendimet për regres në përdorimin e gjuhës shqipe. “Në Maqedoninë e Veriut nuk po ndodh asnjëfarë regresi në drejtim të përdorimit të gjuhës shqipe dhe as nuk ka shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe”, tha ai. Sipas tij, për më pak se dy vite qeverisje, VLEN jo vetëm ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese, por ka avancuar edhe ato që mungonin për të arritur barazinë gjuhësore.

Ai kujtoi se nga viti 2002 deri në vitin 2024 provimet profesionale, licencimi dhe provimet shtetërore janë zhvilluar vetëm në gjuhën maqedonase, pavarësisht se në cilën gjuhë kandidati kishte përfunduar studimet. Mexhiti bëri të ditur se procesi filloi me provimin e jurisprudencës, të cilin studentët shqiptarë shumë shpejt do të kenë mundësi ta japin në shqip.

“Deri para dy vitesh, provimet shtetërore dhe profesionale ishin 100% në gjuhën maqedonase. Duke hapur kapitullin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, ne po bëjmë atë që BDI për 20 vite vetëm e premtonte”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, këto nuk janë vetëm ndryshime administrative, por mundësi të reja për qytetarët shqiptarë, për profesionistët e rinj dhe për të gjithë ata që duan të avancojnë në karrierë pa barriera gjuhësore. Ai akuzoi opozitën shqiptare se po manipulon faktet.

“Ne nuk premtojmë. Ne veprojmë dhe sjellim rezultate”, tha Mexhiti, duke shtuar se VLEN do të vazhdojë që gjuha shqipe të respektohet në çdo institucion dhe në çdo procedurë. “Barazia nuk matet me deklarata, por me mundësi të barabarta dhe me rezultate konkrete”, përfundoi ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull