Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke hapur rrugën për zgjerimin dhe avancimin e mëtejmë të universitetit publik në gjuhën shqipe.
Me këto ndryshime, Universiteti “Nënë Tereza” forcon kapacitetet e tij institucionale dhe akademike, ndërsa një nga risitë më të rëndësishme është formimi i tre fakulteteve të reja: Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Humane.
Ndryshimet e miratuara krijojnë kushte për zgjerimin e ofertës studimore, zhvillimin e programeve të reja akademike dhe rritjen e mundësive për studentët shqiptarë dhe të gjithë të rinjtë që synojnë arsimim cilësor në vend.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së këtij vendimi për konsolidimin dhe zhvillimin e universitetit, deputetët e BDI-së nuk e mbështetën këtë proces dhe nuk votuan për ndryshimet statutare që mundësojnë avancimin e UNT-së.
Vendimi u miratua me 59 vota “për” dhe pa asnjë votë kundër, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të Universitetit “Nënë Tereza”, i cili tashmë do të funksionojë me një strukturë të zgjeruar akademike dhe me më shumë mundësi për studentët dhe stafin akademik.

