Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian tashmë përbën një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Duke folur në takimin joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Dublin, Sali tha se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit në BE.
Ai kërkoi që procesi i integrimit të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, në mënyrë që reformat dhe rezultatet e arritura të shoqërohen me progres konkret.

Sali përshëndeti gjithashtu vizionin e Komisioneres Evropiane Marta Kos për integrim gradual, duke vlerësuar se kjo qasje mund t’u sjellë qytetarëve dhe bizneseve përfitime konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.
“Objektivi ynë mbetet i qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi Sali, duke shtuar se Maqedonia e Veriut “e ka zgjedhur Evropën” dhe është e gatshme të përmbushë detyrimet e saj në këtë proces.

