Në një seancë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane dhe Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane do të prezantohen prioritetet e presidencës belge me BE-në. Programin dhe prioritetet për punën e presidencës belge me Këshillin e Bashkimit Evropian për periudhën janar – qershor 2024 do t’i prezantojë ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Frederic Meris, transmeton Portalb.mk.
Meris, në një ngjarje në Shkup muajin e kaluar, të organizuar nga Lëvizja Evropiane, tha se një nga prioritetet do të jetë zgjerimi i Unionit.
“Zgjerimi i Unionit është gjithashtu një temë shumë e rëndësishme në agjendën e presidencës belge. Belgjika është e bindur për rëndësinë strategjike të zgjerimit. Ajo është gjithashtu e bindur se është një proces i bazuar në merita që kërkon reforma. Por gjithashtu, gjatë presidencës sonë, ne duam të arrijmë disa rezultate në drejtim të zgjerimit, duam të kemi një kuadër negociues me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë dhe Mali i Zi”, theksoi Meris.
Më pas ambasadori përmendi edhe Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në të cilin, tha ai, duhet të finalizohen të gjitha rregulloret financiare, të cilat duhet të futen në mënyrë që ai të zbatohet më shpejt.
Kujtojmë se prioritetet e presidencës belge u prezantuan edhe më 25 janar 2024, në një ngjarje të organizuar nga Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.
Prioritetet u prezantuan dhe u elaboruan nga Frederic Meris, ambasador i Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje, David Geer, ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, Aleksandar Nikoloski, Kryetar i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane dhe deputetet Sanela Shkriel, Snezhana Kaleska Vançeva dhe Gordana Siljanovska Davkova.
Ambasadori Frederic Meris atëherë, theksoi se Belgjika është një nga gjashtë vendet themeluese të Bashkimit Evropian, i cili nga 1 janari deri më 30 qershor 2024 merr për të 13-tën herë presidencën e radhës të Këshillit të BE-së. Presidenca belge do të kryesojë me sloganin “Të mbrojmë, të forcojmë, të përgatitemi”.
Meris shpjegoi për të pranishmit gjashtë fushat tematike për të cilat do të punojë Presidenca:
– Mbrojtja e shtetit ligjor, demokracisë dhe unitetit të BE-së;
– Forcimi i konkurrencës së BE-së;
– Tranzicion i gjelbër dhe i drejtë;
– Forcimi i agjendës sociale dhe shëndetësore;
– Mbrojtja e njerëzve dhe kufijve gjithashtu
– Promovimi i BE-së si faktor global.
Kujtojmë se pasi të përfundojë mandati i Belgjikës, presidenca e radhës do të merret nga Hungaria. Hungaria do të mbajë presidencën e Këshillit nga korriku deri në dhjetor 2024.