IBU sjell kontribut akademik për trashëgiminë e përbashkët kulturore. “Udhëtimi i Parasë” u prezantua në Shkup
Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik vazhdon të japë kontribut akademik për trashëgiminë e përbashkët historike dhe kulturore të Ballkanit. Ekspozita dhe promovimi i librit me titull “Koleksioni i monedhave të prera në Shkup dhe Kratovë (shek. XIV–XVII) – Udhëtimi i Parasë”, që trajton monedhat e periudhës osmane të prera në Shkup dhe Kratovë, u mbajt në Çifte Hamam, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Ngjarja u organizua nën patronazhin e Institutit Yunus Emre në Shkup, në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, Halkbank dhe Prefekturën e Edrenes. Ekspozita, me kuratore Daniela Nikolova, si dhe libri me të njëjtin titull, u prezantuan për publikun.
Vepra, e botuar nga Balkan University Press, shtëpia botuese e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, analizon nga aspekti numizmatik dhe historik monedhat osmane që gjenden në koleksionet e Muzeut të Maqedonisë së Veriut dhe që janë prerë në darphanet e Shkupit dhe Kratovës.
Në program morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, z. Fatih Ulusoy, Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Prof. Dr. Lütfi Sunar, Drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkup, z. Yunus Dilber, Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank Shkup, Dr. Fatih Şahbaz, si dhe akademikë, liderë të partive politike, përfaqësues institucionesh dhe shumë të ftuar.
Në fjalën e tij, Ambasadori Fatih Ulusoy theksoi se monedhat nuk janë vetëm mjete ekonomike, por edhe dëshmitarë të heshtur të historisë.
Ai u shpreh se figurat dhe mbishkrimet mbi to hedhin dritë mbi strukturën socio-ekonomike, kulturore dhe politike të kohës kur janë prerë, duke e cilësuar këtë ekspozitë dhe libër si burim shumë të çmuar për të kuptuar historinë e Ballkanit gjatë periudhës osmane.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, nënvizoi se universiteti i kushton rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes studimeve akademike. Ai theksoi se dokumentimi i trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe transmetimi i saj tek brezat e ardhshëm përmes botimeve shkencore shihet si përgjegjësi institucionale, duke shtuar se “Udhëtimi i Parasë” është një produkt konkret i kësaj qasjeje.
Drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkup, Yunus Dilber, tha se ekspozita dhe libri janë rezultat i rreth një viti pune.
Ai theksoi se ky studim, i cili prezanton trashëgiminë e përbashkët historike dhe kulturore përmes shembujve konkretë, synon të arrijë një audiencë më të gjerë falë përgatitjes dygjuhëshe. Po ashtu, ai bëri të ditur se planifikohet që ekspozita të prezantohet edhe në qytete të tjera dhe në Turqi. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank Shkup, Dr. Fatih Şahbaz, vuri në dukje se monedhat e prera në Shkup dhe Kratovë mbartin gjurmët e një qytetërimi të përbashkët dhe se projekte të tilla kulturore me shumë partnerë kontribuojnë edhe në ndërtimin e identitetit të sotëm. Libri, i përgatitur në dy gjuhë, turqisht dhe maqedonisht, është i qasshëm për lexuesit në formë open access përmes faqes zyrtare të Balkan University Press, ndërsa ekspozita “Udhëtimi i Parasë” do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Çifte Hamam deri më 24 dhjetor 2025.

