Holanda ka votuar dhe do të ketë një kryeministër të ri. Liberali i majtë Rob Jetten ka perspektivat më të mira. Ai mund të jetë homoseksuali i parë që do të kryesojë qeverinë holandeze.
Bashkë me të, vendi mund të ketë për herë të parë një “zotëri të parë” në krah të kryeministrit në Holandë. I fejuari i Jetten vjen, njësoj si Mbretëresha Máxima, nga Argjentina. Ai është 28-vjeçari Nicolás Keenan, i lindur në Buenos Aires, një lojtar profesionist hokeji. Keenan, me fjalët e tij, është jashtëzakonisht krenar për të fejuarin dhe fitoren e tij zgjedhore. Dita e zgjedhjeve, siç thotë ai, zgjati shumë gjatë për të.
“Nata e pritjes së rezultateve ishte si një finale e Kupës së Botës për mua”-, tha Keenan.
Rezultatet u njoftuan në televizion në orën 9 të mbrëmjes. Pas kësaj, së bashku me partnerin e tij, ai festoi suksesin e partisë D66 deri në mesnatë. Partnerët e kryeministrave në Holandë nuk luajnë ndonjë rol të madh. Keenan gjithashtu nuk beson se jeta e tij si “zotëri i parë” do të ndryshojë shumë.
“Për mua, jeta thjesht vazhdon. Unë vazhdoj të stërvitem dhe asgjë nuk do të ndryshojë në fushën sportive.”
Keenan tashmë ka arritur sukses me ekipin kombëtar argjentinas dhe ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Paris dhe Tokio. Tetë vjet më parë ai u transferua në Hagë dhe luan atje për klubin profesional HC Klein Zëitserland. Ata të dy u takuan rastësisht në Hagë.
“Pikërisht në supermarket,”– tha Jetten për revistën Linda.
Në atë kohë, ai ishte Ministër për Klimën dhe iu desh të largohej përkohësisht nga apartamenti i tij në verën e vitit 2022 për arsye sigurie, gjatë protestave të ashpra nga fermerët. Jetten u vendos në lagjen ku jeton Keenan. Të dy u takuan rastësisht në një supermarket dhe u dashuruan me njëri-tjetrin.
Telashet e Serbisë nuk marrin fund as me largimin e Vuçiçit, lëvizja e BE-së që mund ta FUNDOSË
Keenan ishte lojtari i parë në hokejin profesional holandez për meshkuj që e deklaroi hapur veten si homoseksual. Megjithatë, jo të gjithë e pranuan dashurinë e këtyre të dyve me entuziazëm, madje edhe në një vend gjoja tolerant. Jetten e tha publikisht dhe lexoi mesazhet homofobike të urrejtjes që po merrte.
Politikani i majtë liberal nuk e fsheh aspak dashurinë e tij të madhe. Ai foli për këtë disa herë gjatë fushatës zgjedhore. Shumë vetë vunë re se ai buzëqeshte vazhdimisht, dhe disa vëzhgues komentuan me shaka se arsyeja për këtë nuk ishin vetëm mesazhet e tij optimiste politike, por se ai ishte i dashuruar kokë e këmbë.
Ai i propozoi fejesën Keenan në pranverë, dhe Keenan tha po me entuziazëm. Së shpejti të dy do të martohen. Përgatitjet për dasmën janë në kulmin e tyre./DW

