Akuza vjen pas muajsh hetimesh lidhur me një seri transaksionesh të dyshimta të zbuluara nga autoritetet belge
Ish-komisioneri evropian dhe ish-ministri belg, Didier Reynders, është vënë nën hetim zyrtarisht për pastrim parash, pas një serie transaksionesh të dyshimta të zbuluara nga autoritetet belge.
Lajmi është raportuar nga mediat De Standaard, Le Soir, Le Vif dhe platforma hetimore Follow The Money, duke cituar burime gjyqësore. Sipas raportimeve, Reynders u mor në pyetje më 16 tetor, pas së cilës gjykatësi hetues vendosi ta vendosë “nën akuzë” për pastrim parash. Bashkëshortja e tij, Bernadette Prignon, ish-magjistrate nderi, është gjithashtu dëgjuar nga hetuesit, por nuk është akuzuar.
Hetimet nisën pasi Lotaria Kombëtare belge konstatoi shitje të dyshimta të biletave elektronike në një pikë karburanti në Uccle që datojnë që nga viti 2021. Një hetim i brendshëm më pas i lidhi transaksionet me llogari që i përkisnin Reynders dhe bashkëshortes së tij. Çifti dyshohet se ka pastruar rreth 200 mijë euro përmes produkteve të lotarisë gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Sipas mediave belge, ndërmjet viteve 2008 dhe 2018, Reynders ka depozituar rreth 700 mijë euro në shuma të vogla në një llogari bankare pranë ING. Pas pyetjeve nga banka mbi origjinën e parave, ai dyshohet se ka ndryshuar metodë, duke blerë me para në dorë sasi të mëdha biletash “gërvisht e fito”. Prokuroria e Brukselit nuk ka dhënë ende komente zyrtare, duke deklaruar se “do të respektojë procesin gjyqësor”.

