Adnan Azizi, shef i Shtabit Zgjedhor të VLEN-it, në konferencën e mbajtur për zgjedhje tha se procesi zgjedhor u zhvillua në atmosferë të demokratike dhe pa ndonjë parregullsi. Ai tha se VLEN ka epërsi dhe ka fituar në Çair, Saraj, Haraçinë , Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë, në Bervenicë, Dibër ndërsa presin epërsi edhe në pjesën tjetër të komunave ku numërimi i votave është në proces.
Ai tha se, në Tetovë kanë fituar zgjedhjet në raundin e parë, ndërsa në Zhelinë, Tearcë, Bogovinë janë me mbi 1000 vota epërsi.
“Të nderuar qytetarë, në këto zgjedhjet shqiptarët i dhanë një goditje gjithë atij manipulimi shumë vjeçar të presionit të BDI-së dhe ne nga sot shqiptarët i çliruam edhe nga pushteti lokal që kishte BDI deri më tani. Po ashtu, duke iu bashkangjitur pushtetit qendror”, tha Azizi.
Ai theksoi se me këtë rezultat konfirmohet legjitimiteti i koalicionit VLEN në qeveri.
“Ky rezultat certifikon legjitimitetin e VLEN-it për të qeverisur në nivel qendror edhe tre vite dhe për të menaxhuar me komunat që i ka fituar në zonën 6, 2 dhe 1 dhe janë në proces edhe komunat në zonën 5”, deklaroi Azizi.