Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të Nënës Xile Ajeti, nëna e dëshmorit të kombit Alban Ajeti – “Pëllumbi”.

Në mesazhin e tij, z. Ahmeti tha se lajmin e ka pritur me dhimbje të madhe, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të Nënës Xile në rrugën e lirisë dhe sakrificës kombëtare.
“E pritëm me dhembje lajmin për ndarjen nga jeta të Nënës Xile, nënës që rriti bij trima, që sakrifikoi dhe i qëndroi besnike rrugës së lirisë. Kujtimi i saj do të mbetet përgjithmonë i gjallë në zemrat tona,” – u shpreh Ahmeti.

Ai rikujtoi me respekt figurën heroike të Alban Ajetit – “Pëllumbi”, dëshmor i kombit dhe dëshmor i Universitetit të Tetovës. Albani, student nga Gjilani në Universitetin e Tetovës, i la studimet për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rënë heroikisht më 15 prill 1999 në betejën e Zhegocit të Epërm.
“Në këto momente dhembjeje jam pranë familjes Ajeti, farefisit, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e nderuan,” – thuhet më tej në mesazhin e Ali Ahmetit.
Kryetari Ahmeti përfundoi duke shprehur nderim të përjetshëm për jetën dhe veprën e Nënës Xile, nëna e një dëshmori që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës për liri dhe dinjitet.
U prehtë në paqe!