Kuvendi sot do të mbajë seancën e 68-të ku në rend dite, mes tjerash është Propozim-deklarata për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Propozim-deklaratën e paraqiti kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare.
Në Propozim-deklaratë thuhet se në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 19 tetor, Kuvendi shpreh unitetin e tij mbipartiak për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike.
Përveç deklaratës, në seancën plenare do të shqyrtohen edhe pyetjet e deputetëve nga opozita. Nga ana e Kuvendit është kërkuar nga Qeveria që në seancat për pyetje deputetësh të jenë të pranishëm ministrat që të mund të përgjigjen. Siç theksoi kryetari i Kuvendit, Gashi, në brifingun e javës me mediat, ka biseduar gjithashtu me kryeministrin, Hristijan Mickoski i cili ka pranuar kërkesën duke theksuar se ai si kryeministër, me praninë e tij në seanca, jep shembull që ministrat duhet të jenë të pranishëm gjithashtu.
Në këtë seancë kuvendore janë edhe Propozim- ligji për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës së shenjave, Propozim- ligji për ndryshimin e Ligjit për siguri sociale të personave të moshuar, Propozim- ligji për ndryshim të Ligjit për organizatat invalidore, si dhe Propozim i ligjit për ndryshime të Ligjit për të drejtat e veteranëve, të anëtarëve të familjeve të tyre dhe të anëtarëve të familjeve të ushtarëve të rënë, të gjitha në lexim të dytë.
Në rend dite të kësaj seance janë edhe Propozim -ligji për ndryshim të Ligjit për familjen, Propozim i plotësuar i ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mbrojtje sociale, Propozim- ligji për ndryshim të Ligjit për punësim të personave invalidor, në lexim të dytë.
Me Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për kundërvajtje i cili është në leximin e dytë parashihet mundësia për përdorimin e teknologjive të reja (sistemi për detektimin përmes mjeteve teknike dhe pajisjeve për regjistrim) të cilat mund të jenë një mjet i shkëlqyer për detektimin e shkeljeve të trafikut shpejtë dhe në mënyrë efikase dhe procesin e sanksionimit të të njëjtëve.