Kryetari i Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme për konsituimin e Kuvendit duke ndaluar deri më 30 shtator, çdo veprim të deputetëve dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Ai e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për popullizëm.
“Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan.U treguam. Nuk panë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai i ka quajtur përfaqësuesit e partive në pushtet shkatërrues të shtetit e shkelës të Kushtetutës.
“Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy. Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhtareve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi – është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigen kanë synim”, ka shkruar Abdixhiku.
“LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë. Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë. Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron”, ka shkruar tutje ai.