Ministri për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, e nisi vizitën e tij zyrtare në Francë me një takim me ministrin e ngarkuar për Çështje Evropiane në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, Benjamin Haddad.
Në fokus të takimit ishte forcimi i partneritetit dypalësh mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës, në kuadër të zhvillimeve të reja gjeopolitike në Evropë dhe rëndësisë që ka zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Riafirmova gatishmërinë tonë për një partneritet të qëndrueshëm dhe demokratik, me fokus në reformat kyçe, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën tonë evropiane,” deklaroi ministri Murtezani pas takimit.
Ai shtoi se mbështetja e Francës është thelbësore për të arritur progres konkret në procesin e integrimit dhe për të përmbyllur me sukses konsolidimin e Evropës në këtë periudhë të ndjeshme dhe sfiduese.
Vizita e ministrit Murtezani në Francë konsiderohet si një hap i rëndësishëm diplomatik në kuadër të përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE, në një moment kur stabiliteti dhe integrimi i rajonit mbeten prioritete të përbashkëta për Brukselin dhe vendet anëtare.