Sekretari i Përgjithëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani përmes një postimi ka kujtuar ditën e para një viti kur kryetari i ASH-së, Arben Taravari vendosi të bëhet pjesë e koalicionit VLEN. Ramadani këtë e quan si vendim të guximshëm, një angazhim të palëkundur për të çliruar politikën nga korrupsioni dhe për t’iu kthyer qytetarëve besimin në institucionet e vendit.
Postimi i plotë i Ramadanit:
“Sot bëhet një vit që nga ai moment historik kur shpallëm vizionin tonë për Ndryshimin e Madh dhe të Shumëpritur. Një vit më parë, bashkë me ju, morëm një vendim të guximshëm, një angazhim të palëkundur për të çliruar politikën nga korrupsioni dhe për t’iu kthyer qytetarëve besimin në institucionet e vendit.
E dimë që ka ende shumë për të bërë, sepse ndryshimi nuk është një akt, por një proces që kërkon punë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Por ajo që është e sigurt, është se premtimi ynë për një politikë të ndershme dhe qeverisje të drejtë po realizohet!
A kemi përfunduar gjithçka? Jo!
A ka ende shumë për të bërë? Pa dyshim!
Por një gjë është e qartë: rrugën e nisëm bashkë, dhe asgjë nuk do të na ndalë ta çojmë deri në fund!
Faleminderit për besimin! Ky është vetëm fillimi! #ArbenTaravari #AleancaperShqiptaret #VLEN #Ndryshimi”, ka përfunduar Ramadani