Deri tani 16 vite por kush e di edhe sa vite të tjera, Agim Islami do të qëndrojë në burg për një vepër të cilën pohon se nuk e ka kryer. Ky është fati i Agim Islamit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pjesëtarëve të njësitit “Alfa” në vitin 2008. Gjykata Penale me mbi një muaj vonesë, ka njoftuar se ka hedhur poshtë kërkesën për rigjykim të rastit. Kërkesa ishte bërë duke dorëzuar dëshmi të re, respektivisht super ekspertizë e bërë jashtë vendit, e cila thotë se Agim Islami dhe i ndjeri Rexhail Qerimi, nuk janë kryerësit e veprës penale. Megjithatë, kjo dëshmi nuk u pranua nga Gjykata Penale me arsyetimin se në Maqedoni nuk ka kush të vlerësojë një ekspertizë të tillë.
Duke publikuar njoftimin e Gjykatës, i dënuari Agim Islami në rrjetet sociale ironizon me arsyetimin duke thënë se nëse në shtet mungon mjek kirurg për të shpëtuar jetën, atëherë duhet të vdesësh sepse nuk lejohet mjek nga një shtet tjetër për të kryer intervenimin. Islami ankohet se tani nuk ka kohë as për ankesë për shkak se njoftimi i vendimit i ka arritur me vonesë prej më tepër se një muajve.
Deri tani, për rastin “Alfa” nuk mbeti funksionar politik pa mos rrahur gjoks. Premtim për angazhim deri tani kanë dhënë të gjithë liderët e partive politike por edhe bartës të funksioneve. Më të theksuara ishin deklaratat e ish zëvendëskryeministrit në ikje, Artan Grubi i cili pati thënë se çështjen e rastit “Alfa” e kanë futur edhe në programin qeveritar.
Mos pranimi i ekspertizës ligjore të bërë në Serbi, për ish ministrin e drejtësisë Krenar Lloga është absurde dhe diskriminuese. Kjo për faktin se Gjykata Penale pasi refuzoi ekspertizën e rastit “Alfa” një muaj më vonë pranoi ekspertizën lidhur me Klinikën e Onkologjisë, ku u konfirmua ekzistenca e krimit në punën e kësaj klinike. Kjo ekspertizë ishte bërë gjithashtu në Serbi.
Kodi i procedures penale për rastet kur nuk ka ekspertizë të nevojshme brenda shtetit, thekson se mund të përcaktohet si ekspert një person që banon jashtë vendit ose një institucion i huaj profesional, i cili sipas ligjeve i plotëson kushtet.
Më 26 nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko Natyror në Shkup ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Ishin plagosur edhe dy kolegë të tij maqedonas Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski me të cilët në ato momente kishte qenë në detyrë. Më 22 janar të vitit 2022, Rexhail Qerimi i cili gjithashtu ishte i dënuar për këtë rast ndërroi jetë në burgun e Idrizovës. /Alsat.mk