Në tubimin elektoral në Istog, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, përsëriti premtimet për mbështetje financiare për studentë dhe çiftet e reja. Për të rinjtë që studiojnë premtoi bursa të përvitshme në vlerë 25 milionë euro, e nga 100 euro për fëmijët që regjistrohen në çerdhe private. E më herët gjatë ditës, ai listoi edhe një varg investimesh në infrastrukturë
Me flamuj që bartin sloganin zgjedhor të Partisë Demokratike u prit kandidati për kryeministër i këtij subjekti, Bedri Hamza, në tubimin elektoral në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Adem Jashari” në Istog. Në adresimin para të mbledhurve, Hamza u premtoi të rinjve mbështetje financiare gjatë studimeve.
“Për studente dhe studentë, që është investimi më i duhur, 25 milionë euro për bursa çdo vit, për shkollim brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Hamza.
Përkrahje ka premtuar edhe për prindërit e rinj, që fëmijët e tyre i regjistrojnë për qëndrim në çerdhe private.
“Për çiftet e reja, ne premtojmë dhe i qëndrojmë prapa, 100 euro për të gjitha ato çifte, të cilat nuk kanë mundësi t’i çojnë fëmijët e tyre në çerdhet publike. Do të subvencionohen në baza mujore ata që i çojnë fëmijët në çerdhe private. Kjo me qëllim që të ndihmohen nënat e reja, që të kenë mundësi të shkojnë në punë dhe të mos shqetësohen për fëmijët e tyre dhe fëmijët e tyre të kenë përkujdesjen e nevojshme”, ka thënë Hamza.
Gjatë ditës, Hamza iu drejtua qytetarëve me një video-mesazh, në të cilin listoi premtime për investime transformuese në infrastrukturë. Ai e bëri zotimin se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i finalizojë projektet ekzistuese për autostrada, qysh në vitin e parë të mandatit të tij qeverisës.
“Përfundimi i projekteve ekzistuese të autostradave brenda vitit të parë. Lidhja e dy autostradave përmes segmentit Qafë Duhël-Shtime-Banullë të Lipjanit. Unaza e jashtme e Prishtinës. Ndërtimi i linjës hekurudhore me Shqipërinë dhe elektrifikimi i hekurudhave”, ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka premtuar po ashtu investime në funksion të përmirësimit të furnizimit me ujë, e edhe për qendrat e turizmit dimëror në Brezovicë dhe në Borea.
Në ditën e shtatë të fushatës, përfaqësues të Partisë Demokratike kanë zhvilluar takime edhe me qytetarët në Klinë.
Një ditë më parë, në tubimin elektoral në Skenderaj, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar 6 miliardë euro investime në projekte kapitale. Nëse do të qeverisë në mandatin e ardhshëm, ai ka premtuar se nuk do të ketë pension nën 200 euro. E për pensionin bazik është premtuar rritje për 70%. E pensionet kontributdhënëse, sipas programit të PDK-së, do të rriten dhe përshkallëzohen sipas viteve të punës. Ndërsa nga disa tubime të tjera gjatë javës së parë të fushatës, Hamza ka premtuar edhe heqje të sanksioneve e përqendrim në rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Eksponentë të Partisë Demokratike të premten u kanë bërë thirrje të gjithë anëtarëve të subjektit që gjatë fushatës zgjedhore të shmangin përdorimin e gjuhës nxitëse, fyese apo të urrejtjes, si në komunikimet publike, ashtu edhe në ato private.
“Ju bëjmë thirrje secilit prej jush që të përdorni gjuhë të respektueshme, shmangni çdo gjuhë nxitëse, fyese ose urrejtjeje, si në komunikimet publike ashtu edhe në ato private. Le të reflektojë diskursi ynë dinjitetin e kauzës sonë. Promovoni drejtësinë dhe transparencën: Jepni kontributin tuaj për një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe pa konflikte, duke siguruar që veprimet tona të përputhen me parimet demokratike. Ruani sjelljen shembullore: Përfaqësoni vlerat e PDK-së me dinjitet, përgjegjësi dhe një sjellje shembullore që frymëzon besim dhe unitet. Respektimi i ligjeve dhe rregullave zgjedhore nuk është vetëm një detyrim ligjor—është një përgjegjësi morale që forcon demokracinë tonë dhe ndërton themelet për suksesin tonë të përbashkët”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Ditën e shtunë, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, do të mbajë tubim me qytetarët e Komunës së Obiliqit, e më pas edhe me qytetarët e Komunës së Podujevës.