Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti zhvilloi sot në Shkup një takim të rëndësishëm me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, Liburn, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.
Në këtë takim, thonë nga atje, Mexhiti shprehu falënderime për ministrin Aliu dhe delegacionin e tij, përfshirë ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja, duke theksuar përkushtimin e tij dhe të qeverisë për të bashkëpunuar në çdo fushë që ka interes për qytetarët e të dy vendeve.
“Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ndërkufitar, duke përmendur projektin për mbrojtjen e lumit Lepenc përmes menaxhimit të integruar të resurseve ujore. Të dy ministrat u dakorduan për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit në ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e specieve dhe habitatit natyror, veçanërisht në zonat e mbrojtura si Parku Nacional i Sharrit. Po ashtu, ata diskutuan për projekte në fushën e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në të dyja vendet.
Në një takim të veçantë të mbajtur më vonë, Ministri Mexhiti priti një delegacion nga Ministria për Mjedisin e Republikës së Kosovës, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit mes dy ministrive për të adresuar çështje të rëndësishme mjedisore dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Delegacioni kosovar prezantoi Projektin për Hidrosistemin Iber – Lepenc, i financuar nga WBIF, dhe theksuan nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekologjisë”, thuhet në njoftim.
Të dy ministrat, shtojnë nga atje, u pajtuan se është thelbësore të vazhdohet me përmirësimin e marrëdhënieve dhe të shfrytëzohen potencialet për thellimin e bashkëpunimit në çështjet mjedisore dhe ekologjike.