Zëvendësministri i Punëve të Brendshme mori pjesë në takimin BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel: reformat dhe lufta kundër kriminalitetit në focus

2 Min. Leximi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme sot në Bruksel mori pjesë në takimin e përfaqësuesve të lartë të drejtësisë dhe punëve të brendshme ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e tij, zëvendësministri shqyrtoi aktivitetet kryesore reformuese të shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij financiar, me theks të veçantë harmonizimin e standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. U potencua miratimi i dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit me qëllim të avancimit të hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit operacional.
“Prioriteti ynë është ndërtimi i një sistemi efikas dhe të harmonizuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij financiar, përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, avancimit të hetimeve financiare dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar në harmonizimin e standardeve evropiane dhe përgjigjes së përbashkët ndaj sfidave bashkëkohore të sigurisë”, theksoi zëvendësministri.
Fokusi u vendos në luftën kundër trafikimit të drogës dhe kërcënimeve të reja të sigurisë, përfshirë përgatitjen e ndryshimeve ligjore për kontrollin e substancave të reja psikoaktive dhe vendosjen e sistemit për paralajmërim të hershëm. Njëherësh, u prezantuan rezultate konkrete nga operacionet e realizuara dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë.
Në pjesën që i referohet migracionit, u theksua përkushtimi i shtetit për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, forcimin e menaxhimit të kufijve dhe harmonizimin e politikës së vizave me standardet evropiane. Me këtë rast, u potencua edhe dimensioni human i migracionit, si dhe përpjekjet për mbrojtjen e kategorive të rrezikuara dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull