Nga koalicioni VLEN janë përgjigjur iniciativës së Frontit Evropian për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se bëhet fjalë për një iniciativë joserioze dhe vetësabotuese.
Sipas tyre, iniciativa më së shumti i ngjan një parodie satirike sesa diçka që ia vlen të trajtohet seriozisht.
“VLEN e konsideron si joserioze dhe vetësabotuese nismën e sotme të BDI-së, e cila më shumë i ngjan një parodie satirike sesa diçka që ia vlen të trajtohet seriozisht.
BDI ofendon rëndë BE-në dhe shqiptarët kur Blerim Bexheti flet për vlera europiane.
E rikujtojmë për opinionin se Blerim Bexheti, si funksionar i përjetshëm i BDI-së, është sinonim i politikës kundër çdo vlere europiane.
Si deputet, si kryetar komune dhe mbi të gjitha si Ministër i Drejtësisë, Blerim Bexheti shkaktoi dëme të pariparueshme ndaj interesave të shqiptarëve dhe imazhit proeuropian të vendit.
Ai do të mbahet mend për politizimin e skajshëm të gjyqësorit, për pazaret “një prokuror nuk na çon në xhenet”, për sharjet dhe ofendimet ndaj shqiptarëve dhe skandalet e tjera ndër vite.
Prandaj, konsiderojmë se BDI-ja tallet me opinionin kur bën sikur shqetësohet për eurointegrimet, ndërsa zgjedh Blerim Bexhetin si personazh të agjendës së saj “europiane”.
VLEN nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e kësaj parodie. Integrimi europian kërkon qasje serioze dhe të sinqertë. Qeveria është e fokusuar në Agjendën Reformuese, e cila po zbatohet me shumë sukses dhe mirënjohje nga Brukseli”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
VLEN: Blerim Bexheti dhe vlerat europiane, parodia e radhës nga BDI-ja

Ndani këtë artikull
