Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka uruar 9 Majin – Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores ndaj fashizmit, duke theksuar rëndësinë historike dhe simbolikën e kësaj date për paqen, lirinë dhe demokracinë.
Sulejmani në një status në Facebook vlerësoi se 9 Maji është një nga datat më domethënëse në historinë moderne të Evropës dhe botës, pasi sipas tij, kjo ditë simbolizon paqen, lirinë, demokracinë dhe bashkëjetesën mes popujve.
“Fitorja ndaj fashizmit na rikujton sakrificën e miliona njerëzve që luftuan kundër urrejtjes, shtypjes dhe diskriminimit, për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më humane”, ka deklaruar Sulejmani.
Ai gjithashtu theksoi se Dita e Evropës përfaqëson vizionin për një kontinent të bashkuar mbi vlerat e solidaritetit, respektit dhe bashkëpunimit.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi obligim t’i mbrojmë këto vlera dhe të punojmë për një shoqëri ku mbizotërojnë paqja, toleranca, dinjiteti njerëzor dhe perspektiva evropiane për të gjithë qytetarët”, ka shtuar Sulejmani.
Në fund të mesazhit të tij, zëvendësministri uroi qytetarët me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës dhe Ditës së Fitores ndaj fashizmit.

