Si VLEN-i nuk po arrin të adresojë dështimet 20-vjeçare të BDI-së?

3 Min. Leximi

VLEN, partia e cila para dy vitesh, përmes koalicionit, fitoi legjitimitetin e votuesve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare dhe u bë pjesë e qeverisë, tashmë ka një histori të shkurtër, por të fortë në skenën politike. Menjëherë pas një viti, VLEN arriti të fitojë shumicën e komunave shqiptare në zgjedhjet lokale, duke konfirmuar fuqinë dhe legjitimitetin e tyre. Ky sukses historik shënoi gjithashtu një moment të veçantë në pluralizmin politik shqiptar, duke bërë që për herë të parë pesë parti të bashkohen dhe të krijojnë një subjekt të vetëm politik.

Megjithatë, pavarësisht këtij kapitulli historik, VLEN duket se nuk po arrin të adresojë dështimet e 20 viteve të BDI-së në pushtet. Çështjet që duhet të ishin pjesë e kritikës ndaj BDI-së nga rasti i Monstrës, grupi i Kumanovës, Harun Aliu, mos-implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, listat e zeza, te Enciklopedia janë ende përdorur nga BDI për të akuzuar VLEN-in. Në vend që të përdoret kjo si një mundësi për të nxjerrë në pah përgjegjësitë e mëparshme të BDI-së, VLEN duket se është futur në një defanzivë paniku, duke u paraqitur si “kopili i BDI-së” në sytë e votuesve shqiptarë.

Analistët politikë theksojnë se kjo situatë po i jep BDI-së një lloj amnistie të pafajësisë, pasi çdo ditë partia e vjetër mund të akuzojë VLEN-in, duke zbehur arritjet dhe sukseset që kjo e fundit ka shënuar në vetëm dy vjet qeverisjeje.

VLEN ka arritje të dukshme dhe konkrete që duhet të jenë pjesë e identitetit të tyre politik: Ligji i ri për lojërat e fatit, njohja e diplomave të Medresesë, avancimi i Maqedonisë në integrimin në Bashkimin Evropian, dhënia e licencave dhe provimeve profesionale nga mësues dhe mjekë në gjuhën shqipe, ndarja e afro 100 milionë eurove për komunat shqiptare, 35 milionë euro për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe shumë projekte të tjera të suksesshme.

Pyetja që lind është: A do të zgjohet VLEN nga gjumi politik dhe do të fillojë të promovojë arritjet e veta, duke mos lejuar që BDI ta paraqesë atë si një parti dështimi? Vetëm duke treguar qartë sukseset dhe duke përballuar të shkuarën e BDI-së, VLEN mund të forcojë pozicionin e saj dhe të fitojë besimin e zgjedhësve shqiptarë në një bllok politik ku konkurrenca mbetet e ashpër.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull