Sepse, për një qytet si Dibra, ku emigrimi ka qenë pjesë e historisë së shumë familjeve, diaspora nuk përfaqëson vetëm ata që janë larguar, por edhe një potencial të rëndësishëm për të ardhmen e vendlindjes
Vjollca SADIKU
Dibër, 30 tetor – Me mijëra kilometra mund t’i ndajnë nga vendlindja, por lidhjet e dibranëve me Dibrën nuk janë zbehur asnjëherë. Nga Nju Jorku deri në qytetet e Evropës, diaspora dibrane vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të mbështetjes ekonomike dhe shoqërore të qytetit. Për ta forcuar këtë lidhje dhe për ta shndërruar dashurinë për vendlindjen në bashkëpunim dhe investime konkrete, Komuna e Dibrës ka hapur Zyrën për Diasporën, ndërsa në krye të saj është emëruar biznesmeni i njohur dibran në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ibrahim Kolari. E veçanta e këtij emërimi është se Kolari ka pranuar ta ushtrojë detyrën kundrejt një kompensimi simbolik prej vetëm një denari në muaj, duke theksuar se angazhimi i tij nuk motivohet nga përfitimet personale, por nga dëshira për t’i shërbyer vendlindjes dhe bashkatdhetarëve.
Zyra e re, e vendosur në objektin e Komunës së Dibrës, synon të shërbejë si urë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet pushtetit vendor dhe diasporës dibrane në SHBA dhe vendet evropiane. Përmes saj pritet të krijohen mundësi për investime, shkëmbim përvojash dhe realizim të projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të qytetit.
Gjatë ceremonisë së hapjes, Ibrahim Kolari, i cili krahas veprimtarisë afariste në Amerikë ka investime edhe në vendlindje, falënderoi kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, për besimin e dhënë. “Kjo detyrë është një nder i veçantë për mua, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe. Zotohem se do të bëj gjithçka që është në mundësitë e mia për t’i krijuar diasporës sonë hapësirën dhe mundësinë që të shprehë idetë dhe propozimet e saj, si dhe të kontribuojë me përvojën, dijen dhe investimet për zhvillimin e vendlindjes”, deklaroi Kolari. Ai theksoi se bashkëpunimi, komunikimi i vazhdueshëm dhe besimi i ndërsjellë do të jenë parimet mbi të cilat do të mbështetet veprimtaria e zyrës.
“Do të angazhohem që të jem një urë lidhëse mes diasporës dhe Komunës së Dibrës, me bindjen se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë çelësi i një të ardhmeje më të mirë për qytetin tonë. Na presin shumë punë dhe sfida, por besoj se me vullnet dhe përkushtim mund të arrijmë rezultate konkrete për një Dibër më të zhvilluar, më të fortë dhe me më shumë mundësi për të gjithë”, tha ai. Duke iu drejtuar bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, Kolari nënvizoi se detyrën e ka pranuar për t’i shërbyer interesit të përbashkët.
“Dua t’ua bëj të qartë bashkatdhetarëve tanë se këtë detyrë nuk e kam pranuar për përfitime personale, por me dëshirën dhe sinqeritetin më të madh për t’i shërbyer vendlindjes dhe diasporës sonë. Pikërisht për këtë arsye kam pranuar që këtë angazhim ta ushtroj kundrejt një kompensimi simbolik prej vetëm një denari në muaj”, deklaroi Kolari.
Në një prononcim për gazetën KOHA, Ibrahim Kolari paralajmëroi se aktivitetet konkrete do të nisin shumë shpejt, ndërsa takimin e parë zyrtar planifikon ta zhvillojë në Nju Jork. Sipas tij, gjatë ditëve në vijim do të takohet me udhëheqësinë e re të shoqatës dibrane në Amerikë, “Dibra”, me të cilën do të diskutohet për hartimin e një plani dhe programi të përbashkët bashkëpunimi. Synimi është që komunikimi me diasporën të mos mbetet vetëm në nivel takimesh dhe deklaratash, por të konkretizohet përmes projekteve që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Dibrës.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, duke e uruar Ibrahim Kolarin për detyrën e re, vlerësoi se hapja e Zyrës për Diasporën ka rëndësi të veçantë për komunën. Ai theksoi se Dibra ka një diasporë të madhe, e cila prej dekadash kontribuon në mirëqenien e familjeve dhe në ekonominë vendore.
“Kemi një diasporë shumë të madhe, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në shumë vende të Evropës. Kjo zyrë do të mundësojë kontakte të rregullta me bashkatdhetarët tanë dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, me theks të veçantë te investimet e diasporës në vendlindje”, deklaroi Mela. Sipas tij, zyra do të shërbejë edhe si pikë informimi për dibranët që jetojnë jashtë vendit, duke u mundësuar të marrin informacione konkrete për aktivitetet komunale, mundësitë e investimit dhe projektet që zhvillohen në Dibër.
Diaspora dibrane konsiderohet një ndër komunitetet më të organizuara të bashkatdhetarëve nga Maqedonia e Veriut. Sipas vlerësimeve të përmendura në komunitetin lokal, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë mbi 20 mijë dibranë, ndërsa disa mijëra të tjerë jetojnë dhe punojnë në Itali, Gjermani, Francë, Austri, vendet e Beneluksit dhe ato skandinave. Përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për familjarët, diaspora ka kontribuar ndër vite edhe në mbështetjen e institucioneve, nismave humanitare dhe aktiviteteve me interes për qytetin. Përfaqësues të subjekteve politike dhe të sektorit civil në Dibër vlerësojnë se diaspora vazhdon t’i japë frymëmarrje ekonomike qytetit, veçanërisht përmes remitancave, investimeve dhe lidhjeve të vazhdueshme me vendlindjen.
Me hapjen e Zyrës për Diasporën, Komuna e Dibrës synon që këtë kontribut ta shndërrojë në një bashkëpunim më të organizuar dhe afatgjatë. (koha.mk)

