Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është takuar me zv/kryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviq, me ç’rast kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Gashi i uroi mirëseardhje Ivanoviqit dhe shprehu bindjen se takimi, së bashku me kontaktet e tjera me përfaqësuesit e Malit të Zi, do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Gashi përshëndeti përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi dhe sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, duke shtuar se të dy vendet ndajnë objektiva të përbashkëta strategjike në fushën e integrimit evropian, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.
Nga ana e tij, Ivanoviq njoftoi se është arritur marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit, e cila pritet të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe turistike mes dy vendeve.
Ai foli për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, duke shprehur pritjen që ky proces të përmbyllet me anëtarësimin e plotë të vendit deri në vitin 2028. Ivanoviq tha se Mali i Zi mbështet Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se integrimi i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe zhvillimit në rajon.
Zv/kryeministri Ivanoviq qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku më herët u prit në takim edhe nga ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, pas çka njoftuan linjën e drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit, duke filluar nga 1 maji i vitit të ardhshëm.

