Qamili në Shenja: Çdo institucion do të jetë i obliguar ta zbatojë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

2 Min. Leximi
Screenshot

Zëdhënësi i VLEN-it dhe zv.kryetari i Komunës së Tetovës Albi Qamili, në “Debat në Shenja”, foli për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ndërsa tha se me këtë ligj do të avancohet Marrëveshja e Ohrit.

Qamili në debat theksoi se heqjen e Balancuesit e ka kërkuar edhe BDI, ndërsa VLEN këtë çështje po e rregullon me ligj.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Qamili tha se secili institucion do të jetë i obliguar për të zbatuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Po rregullojmë me ligj një kategori kushtetuese që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit. Pushteti i atëhershëm vendosi që ta rregullojë me një instrument digjital “Balancuesin”. Heqjen e Balancuesit e ka kërkuar edhe BDI-ja, ku ministrat e BDI-së kanë nënshkruar mendimin për heqjen e Balancuesit”.

“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të rregullojë përfundimisht këtë çështje. 6 muaj pas miratimit të këtij ligji do të formohet Grupi punues i udhëhequr nga zv.kryeministri shqiptar, i cili do të monitorojë institucionet të cilat do të duhet të japin raport para Qeverisë. Secili institucion do të ketë detyrim ligjor ta respektojë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, tha Qamili.

Ai gjithashtu theksoi se Ligji do të vlejë edhe për avancimet.

“Nuk do të ketë më 20 vite bashkëpunëtor i ri, por ky ligj do të vlejë edhe për avancimet. Kërkojmë përkrahjen nga gjithë faktorit politik shqiptar, pasi vet fakti që kjo zgjidhje po bëhet ligj, tregon se po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Qamili.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull