Prej sot, doganierët në “Tabanocë”, “Qafë Thanë” dhe “Bllacë”, do të kenë kamera në uniforma!

1 Min. Leximi

Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut ka nisur përdorimin zyrtar të kamerave trupore nga zyrtarët doganorë në tre pika kufitare: Tabanocë, Bllacë dhe Qafë Thanë. Pajisjet janë siguruar me donacion nga Ministria e Drejtësisë e SHBA-së dhe synojnë rritjen e transparencës, parandalimin e korrupsionit dhe luftën kundër krimit.
Janë siguruar gjithsej 30 kamera trupore, ndërsa zyrtarët doganorë do të kenë të drejtë të regjistrojnë procedurat gjatë kryerjes së detyrës. Pamjet mund të përdoren më vonë si dëshmi në procedura kundërvajtëse dhe penale.
Sistemi u prezantua zyrtarisht nga drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski, dhe ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes.
Nikollovski tha se kamerat do të kontribuojnë në mbrojtjen e zyrtarëve doganorë, parandalimin dhe luftën efikase kundër korrupsionit, si dhe në rritjen e transparencës dhe besimit në sistem.
Ndërsa Varnes theksoi se institucionet e forta janë bazë për një shoqëri të sigurt dhe prosperuese, duke e cilësuar pajisjen e institucioneve si pjesë të angazhimit të SHBA-së për ndërtimin e marrëdhënieve efikase me aleatët.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull