Pas dy rasteve të fundit ku zyrtarë u kapën duke marrë mito, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar edhe raste të tjera të mitmarrjes në institucione shtetërore. Në një deklaratë për media, ai tha se ka informata se po hetohen persona edhe në disa institucione shtetërore për korrupsion. Por, pavarësisht kësaj, Mickoski thotë se, nuk ka korrupsion të nivelit të lartë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ajo që për mua është e rëndësishme është se nuk ka raste të korrupsionit të lartë. Tani duhemi t’i pastrojmë këto raste nëpër institucione, t’i çrrënjosim. Por, nuk do të thosha se ka mosbesim ndaj institucioneve dhe shkojnë te prokuroria”.
Mickoski më tej paralajmëroi edhe një projekt, në kuadër të së cilit qytetarët do të mund të denoncojnë korrupsionin sistematik.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“I inkurajojë qytetarët që të denoncojnë raste të korrupsionit sistematik dhe së shpejti do të fillojmë një projekt me Transparency International në të cilin do të kemi linjë të hapur që të denoncojnë aty, ndërsa ne së bashku me Transparency International t’i zbatojmë ato raste”.
Kujtojmë se, dy ditë më parë, ndihmësdrejtori i Doganave u arrestua nën dyshimin se ka marrë ryshfet në vlerë prej 17 mijë e 500 eurosh. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njofton se paratë janë kërkuar në lidhje me dy procedura të prokurimit publik. Rasti është denoncuar nga një qytetar, ndërsa për të dyshuarin është kërkuar masa e paraburgimit. Ndërkohë paraprakisht, policia e arrestoi shoferin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, pasi ai u kap duke marrë para nga një person për të ndërmjetësuar për punësimin e tij si zjarrfikës në Qytetin e Shkupit. Ai është kapur në flagrancë gjatë marrjes së 500 eurove, ndërsa kishte kërkuar 1 500 euro. /SHENJA/

