Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti në emisionin “Click plus” në TV21 ka thënë se VLEN-it i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, por se ky vit do jetë i vetëm ku nuk do të ketë asnjë palë zgjedhje.
Ai këtë e sheh më shumë si përplasje mes VMRO-së dhe LSDM-së, apo një betejë brenda kampit politik maqedon.
“Ajo që dua të theksoj është se VLEN ka 70 për qind të komunave shqiptare, në anketa është fitues absolut i zgjedhjeve. Ka edhe parametra tjerë se VLEN-it mund t’i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, por nëse më pyetni mua, mendoj se është viti i vetëm ku nuk ka zgjedhje as lokale, as presidenciale as parlamentare, vit ku ekzekutivi, komunat kanë mundësi për të realizuar atë që kanë premtuar. Kështuqë nuk shoh arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Mexhiti.
Se a janë të mundura ato vitin e ardhshëm 2027, edhe këtu ai është i prerë.
“Kur do të hyjmë në vitin 2027, apo një vit para zgjedhjeve të regullta, duhet ta vlerësojmë se a ia vlen të shkojmë në zgjedhje të parakohshme apo jo”, nënvizon Mexhiti.

