„ALTA banka“ nën llupën e Kuvendit: Deputetët kërkojnë përgjigje për administrimin dhe përgjegjësinë e institucioneve

3 Min. Leximi

Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet mban sot debat mbikëqyrës për rastin e „ALTA bankës“ SHA Manastir. Në qendër të debatit janë arsyet që çuan në vendosjen e administrimit në bankë, mënyra se si veproi Banka Popullore dhe përgjegjësia e institucioneve kompetente.

Sipas njoftimit të shërbimit për shtyp të Kuvendit, në debat janë ftuar përfaqësues të autorizuar të Qeverisë dhe të organeve të administratës shtetërore. Janë ftuar edhe persona të tjerë që mund të japin informacione për çështjen.

Administrimi i përkohshëm në „ALTA bankën“ SHA Manastir është në fuqi që nga 1 nëntori. Masa pasoi zhvillimet me aksionarin e saj dominant, „ALTA banka“ SHA Beograd, së cilës organi mbikëqyrës i Serbisë ia hoqi lejen e punës. Njëkohësisht u mor vendim se janë plotësuar kushtet për hapjen e procedurës së falimentimit.

Banka Popullore ka sqaruar se qëllimi i masës është që banka në Manastir të vazhdojë të funksionojë. Mjetet dhe interesat e kursimtarëve dhe të kreditorëve të tjerë duhet të mbeten të mbrojtura derisa të zgjidhet çështja e pronësisë.

Administrimi pritet të zgjasë tre muaj. Administratorë janë emëruar Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska, të punësuar në Bankën Popullore. Ata kanë marrë kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, të Bordit Drejtues dhe të Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit të bankës.

Administratorët kanë afat 21 ditë për të konstatuar gjendjen e plotë në bankë dhe për t’i dorëzuar raport Këshillit Ekzekutiv të Bankës Popullore.

Ndërkohë, Banka Popullore njofton se po vazhdon lehtësimi gradual i kushteve për disponimin e mjeteve dhe përdorimin e shërbimeve bankare. Që nga dje, klientët mund të përdorin bankingun elektronik dhe mobil, brenda këtyre kufijve:

  • deri në 15.000 denarë në javë për klientët që kanë kartela pagese;
  • deri në 20.000 denarë (për dy javë) për ata që nuk kanë kartela.

Nga sot hapet edhe ekspozitura e bankës në Shkup, në Qendrën Tregtare „Biser“, bul. „Jane Sandanski“ nr. 1/1.

Vazhdojnë punën edhe ekspoziturat në Manastir, Strumicë dhe Tetovë. Aty klientët mund të tërheqin para të gatshme në sportel brenda kufizimeve të përcaktuara, si dhe të paguajnë faturat komunale, këstet e kredive dhe detyrime të tjera.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull