Shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës në gjysmën e dytë të vitit kanë mbetur pa 131 nxënës në krahasim me ata të regjistruar në fillim të vitit, sepse janë shpërngulur jashtë vendit.
Sipas Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kumanovës, numri i nxënësve të çregjistruar në shkollat fillore është më i madh në krahasim me shkollat e mesme. Bëhet fjalë për 102 nxënës të çregjistruar nga shkollat fillore dhe 29 nga shkollat e mesme.
Sipas kësaj drejtorie janë çregjistruar nxënës të të gjitha nacionaliteteve, sepse familjet janë shpërngulur ose janë duke u shpërngulur në vendet e Evropës Perëndimore dhe një numër më i vogël shkojnë në qytete të tjera të vendit. Braktisja më e madhe është nga shkollat më të mëdha në qytet.
Në fund të vitit të kaluar shkollor nga shkollat e Kumanovës janë larguar 397 nxënës, dy herë më shumë se në gjysmën e parë të vitit kur janë larguar rreth 150.