Kurti diskuton me 4 kongresmenë amerikanë për Xhandarmërinë: S’është zëvendësim i KFOR-it, por bashkëpunëtore e afërt me të

3 Min. Leximi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar një takim virtual me katër kongresistë amerikanë, të cilët së fundmi kanë paraqitur dy rezoluta në mbështetje të Kosovë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim morën pjesë kongresistët Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer.

Kurti i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për paraqitjen e Rezolutës 1246, që mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe Rezolutës 1250, e cila kërkon vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.

“Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

 

Sipas ZKM-së, Kurti theksoi se prania e NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i vendit në aleancë mbeten prioritete kyçe të Qeverisë.

“Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO”, thuhet më tej.

Në takim u diskutua edhe për bazën ushtarake amerikane Bondsteel.

“Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane”, njofton ZKM-ja.

Kurti i informoi kongresistët edhe për hapat e parë drejt krijimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

“Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftim.

Kurti theksoi se Xhandarmëria “nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të”.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë”, përfundon njoftimi.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull