Emily Maitlis, gazetarja që qëndron pas intervistës kontroverse të Princit të rrëzuar Andrew në lidhje me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein në emisionin “Newsnight” të BBC-së, është rikthyer me një prodhim të ri.
Dokumentari do të përqendrohet në arkivat e Epstein, duke nxjerrë në dritë prova të reja rreth financuesit miliarder dhe abuzuesit seksual të dënuar.
Me titullin paraprak “Dosjet Epstein”, prodhimi i ardhshëm do të paraqesë rrëfime në vetën e parë nga të mbijetuarit, si dhe “një analizë të thellë të dokumenteve, rrjeteve dhe figurave të fuqishme të lidhura me aktivitetet kriminale të Epstein prej dekadash”, sipas Channel 4.
Maitlis, e cila prezanton podcast-in e famshëm “Agjentët e Lajmeve”, do të përpiqet t’i përgjigjet pyetjes se si Epstein arriti të mbetej i padëmtuar dhe t’i shmangej drejtësisë për kaq shumë dekada.
Dosjet e Epstein kanë qenë në lajme muajt e fundit. Kujtohet se intervista që Maitlis siguroi dhe transmetoi në nëntor 2019, shkaktoi dëme të pariparueshme në imazhin e Andrew Mountbatten-Windsor. Kjo u pasua nga dy produksione dramatike, në të parin, rolin e Maitlis e luajti Gillian Anderson, ndërsa në të dytin nga Ruth Wilson. Në fakt, Maitlis mori detyrat e producentes ekzekutive në prodhimin e dytë në emër të Amazon.
“Unë ia kam kushtuar karrierën time mbulimit të çështjeve që ata në pushtet do të preferonin që ne të mos i dinim”, tha gazetarja e famshme.
“Rasti Epstein është shprehja përfundimtare e këtij fenomeni, një rrjet pasurie, ndikimi dhe pandëshkueshmërie që shkatërroi jetë dhe u mbrojt nga institucione që supozohet t’u besojmë. Të mbijetuarit kanë pritur mjaftueshëm gjatë. Jam e vendosur që ky serial do të ofrojë përgjigje, jo vetëm të ngrejë më shumë pyetje”, shtoi ajo.
Sipas Deadline, Katie Sexton do ta drejtojë dokumentarin. Lion TV, me mbështetjen e All3Media, do ta prodhojë në bashkëpunim me All3Media International dhe Daniel Pearl do të shërbejë si producent ekzekutiv. /tesheshi.com/

