Korridori 8, Qyra: Projekt i sigurt dhe nuk devijon nga Struga

3 Min. Leximi

Shqetësimet se Korridori 8 mund të anashkalojë Strugën për shkak të kërkesave të UNESCO-s, sidomos në segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, nuk qëndrojnë, thotë Mendi Qyra në një deklaratë për TVM2. Sipas tij, projekti do të kalojë patjetër nëpër Strugë dhe realizimi i tij nuk është në pikëpyetje. Diskutimi i vetëm që mbetet është koha e përfundimit, jo nëse do të realizohet apo jo thotë Qyra. Ai shtoi se në qershor pritet një vizitë në terren nga përfaqësues të UNESCO, të cilët do të vlerësojnë kushtet dhe mundësitë më të mira për implementimin e projektit në këtë segment.

“Unë ju garantoj që Korridori 8 do të kalojë nëpër Strugë dhe do të realizohet. Pyetja ime është për sa kohë do të realizohet, duke qenë se kontrata me Bechtel parashikon përfundimin deri në vitin 2029. Për t’u realizuar dhe për të kaluar nga Struga patjetër duhet të kalojë, sepse nuk ka alternativë tjetër traseje. Pritet që në qershor të vijë një ekip i UNESCO-s dhe shpresojmë që të bindet se kjo duhet të realizohet. Edhe ata na kanë thënë gojarisht se nuk janë kundër ndërtimit të një infrastrukture të tillë, e cila është një rrugë shumë domethënëse për ne.”, u shpreh kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Statusi në UNESCO-s, Qyra: Nuk ka “pardon” për ndërtimet pa leje

Sa i përket ndërtimeve pa leje, të cilat rrezikojnë statusin në UNESCO, Qyra thotë se janë në pritje të ligjit me të cilin mund të prishen edhe objektet e ndërtuara pa leje.

“Nëse kalon tani ligji, do të veprojmë me atë ligj dhe në atë ligj parashihen edhe prishja e disa objekteve të cilat nuk janë të përshtatshme, ose janë uzurpuar, ose nuk kanë dokumentacionin adekuat. Dhe në këtë drejtim nuk kam pardon. Nëse prishen, le të prishen. Nëse merret vendim që të prishen dhe të fillohet nga e para, siç është bërë në Pogradec.”, u shpreh Qyra.

Problem tjetër sa i përket statusit në UNESCO është edhe menaxhimi i mbeturinave, largimi i deponive ilegale si dhe trajtimi i ujërave të zeza.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull