Koçan, 9 policë u ulën në bankën e të akuzuarve në seancën përgatitore në Gjykatën Penale në Shkup

2 Min. Leximi

Nëntë policët e akuzuar në lidhje me tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan u ulën në bankën e të akuzuarve në seancën përgatitore në Gjykatën Penale në Shkup. Të akuzuarit ngarkohen se nuk i kanë kryer detyrat e tyre zyrtare për dhënien e pëlqimit që diskoteka të marrë licencë.
“Të njëjtit, si zyrtarë policorë, e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare, duke mos i kryer detyrat që kanë të bëjnë me kontrollin e plotë të të dhënave të nevojshme për dhënien e pëlqimit, i cili lidhet me kërkesën për marrjen e licencës për klubin “Puls” në Koçan”, tha Spasenka Andonova, prokurore.
Nga mbrojtja e të akuzuarve, në gjykatë janë dorëzuar dëshmi shtesë. Ata shprehen të bindur se gjatë procedurës do të dëshmojë se të akuzuarit nuk janë fajtorë.
“Pritjet tona janë që do të dëshmojmë se të akuzuarit nuk janë fajtorë për veprat që u ngarkohen sipas përshkrimit në aktakuzë”, theksoi Asmir Alispahiq, avokat.

Për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, përgjegjësi kërkohet nga gjithsej 23 policë nga sektorë të ndryshëm, në tre aktakuza. Përveç këtyre nëntë policëve, në aktakuzat e tjera janë të përfshirë edhe tre policë që kanë futur të dhëna për një kompani joaktive gjatë kontrolleve në “Puls”, si dhe trembëdhjetë policë të tjerë që natën fatale të 16 marsit kanë zbatuar plan për kontroll në këtë diskotekë./Alsat.mk.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull