Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me kryetarin e Komunës së Tearcës, Daut Memishi, kryetarin e Këshillit Komunal, Lavdim Farizi dhe ekspertin e bujqësisë Isniriza Xhelili, vizituan parcelat me grurë në rajonin e Pollogut, ku nga afër ndoqën procesin e korrjes dhe zhvilluan biseda me fermerët.
Gjatë vizitës, Hoxha dhe Memishi u ngjitën në kombajnë dhe ndoqën nga afër procesin e korrjes, duke u njohur në praktikë me ecurinë e punimeve dhe sfidat me të cilat përballen prodhuesit gjatë sezonit.
Hoxha theksoi se gruri mbetet një nga kulturat strategjike të vendit dhe ka një rëndësi të veçantë për sigurinë ushqimore.
“Në sezonin prodhues 2025/2026 janë mbjellë mbi 63 mijë hektarë me grurë, ndërsa prodhimi i pritshëm vlerësohet në rreth 221 mijë tonë. Pavarësisht kushteve të pafavorshme klimatike gjatë sezonit, rezultatet e deritanishme të korrjes janë inkurajuese dhe dëshmojnë përkushtimin e fermerëve tanë”, deklaroi Hoxha.
Në takimet me fermerët u diskutua për ecurinë e korrjes, rendimentet dhe rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për prodhimin vendor.
Në përfundim, Hoxha u uroi të gjithë fermerëve një korrje të mbarë, rendimente të mira dhe sa më shumë bereqet.

