Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka uruar nxënësin Damjan Davkov për fitimin e medaljes së artë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, të mbajtur në Shangai të Kinës, duke e cilësuar këtë si një nga sukseset më të mëdha shkencore të arritura nga një nxënës i vendit.
Snopçe theksoi se Damjan Davkov, i cili gjatë këtij viti u shpall kampion i Ballkanit, kampion absolut i Evropës dhe tani fitues i medaljes së artë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, ka dëshmuar se vendi ka talente të jashtëzakonshme që meritojnë mbështetje institucionale.
Ai uroi edhe të gjithë nxënësit e tjerë që fituan medalje dhe përfaqësuan denjësisht shtetin në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.
Deputeti i ASH-së rikujtoi se edhe më herët, nga foltorja e Kuvendit, i kishte drejtuar pyetje Ministres së Arsimit për mungesën e investimeve dhe mbështetjes ndaj nxënësve të talentuar.
Sipas Snopçes, është paradoksale që sportistët shpërblehen me të drejtë për sukseset e tyre, ndërsa kampionët e shkencës shpesh mbeten pa përkrahjen e nevojshme nga institucionet.
“Një shtet që nuk investon tek talentet e veta rrezikon të humbasë pasurinë e tij më të madhe – të rinjtë”, theksoi Snopçe, duke bërë thirrje për politika konkrete që do të mbështesin nxënësit e talentuar dhe pjesëmarrjen e tyre në garat ndërkombëtare.

